SPAK nxori të pafajshëm Jonaid Myzyrin, kolopuçi hajdut i KPP mund të rikthehet drejtor

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 07.05.2026, 19:46

Dy vite pasi SPAK nisi hetimet për korrupsion ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, organi i akuzës ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme pushimin e çështjes penale ndaj tij. Zhvillimi ka rikthyer diskutimet për të ardhmen e Myzyrit në krye të KPP-së, ndërsa në prapaskenë po flitet për një rikandidim të mundshëm në drejtimin e institucionit.

Burime pranë procesit bëjnë me dije se emri i Myzyrit shihet sërish si favorit për të marrë drejtimin e Komisionit të Prokurimeve Publike, institucion që ai e drejtoi për pesë vite para se të përfshihej në hetimet e SPAK-ut. Kreu i KPP-së zgjidhet nga qeveria mes anëtarëve të komisionit, ndërsa aktualisht Myzyri konsiderohet si kandidati më i preferuar nga mazhoranca.

Ish-zyrtari u vu nën akuzë vitin e kaluar për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike”, vepër që sipas SPAK është kryer në bashkëpunim me shtatë funksionarë të tjerë. Hetimet lidhen me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në shtator të vitit 2020, me fond limit rreth 219.8 milionë lekë pa TVSH.

Sipas dosjes hetimore, bëhej fjalë për tenderin e mirëmbajtjes së segmentit rrugor Rrëshen–Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit. SPAK pretendonte se gjatë shqyrtimit të ankesave për këtë procedurë, Komisioni i Prokurimeve Publike kishte favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, të cilët rezultonin të kishin paraqitur dokumente të falsifikuara.

Prokuroria e Posaçme kishte ngritur dyshime se parregullsitë e konstatuara nga ARRSH nuk ishin marrë në konsideratë nga KPP gjatë shqyrtimit të procedurës, duke krijuar avantazh të padrejtë për operatorët pjesëmarrës në tender.

Në të njëjtën çështje, përveç Myzyrit, u morën të pandehur edhe shtatë zyrtarë të tjerë, ndërsa tre persona të tjerë mbetën nën hetim për falsifikim dokumentesh.

Jonaid Myzyri mori drejtimin e Komisionit të Prokurimeve Publike në vitin 2020. KPP përbëhet nga pesë anëtarë, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarin, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat pesëvjeçar, me mundësi rizgjedhjeje vetëm një herë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit