Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal nr. 49/3/1 të vitit 2026 ndaj ish-oficerit të Policisë Gjyqësore, Igli Haxhiaj. Ai ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 27 nëntorit 2025 dhe akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsion pasiv të funksionarëve të organeve të drejtësisë”. Hetimet janë zhvilluar në kuadër të dosjeve 49/3 të vitit 2023 dhe 29 të vitit 2024, që lidhen me trafik ndërkombëtar narkotikësh, pastrim parash dhe veprimtari të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, hetimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Breshias në Itali dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës. Nga hetimet është zbuluar një grup kriminal me bazë në Shqipëri dhe degëzime në Itali, i përfshirë në importimin e lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt porteve të Europës Veriore dhe më pas transportimin e tyre në Itali. Në kuadër të procedimit penal të vitit 2019, SPAK kishte autorizuar përgjime telefonike dhe ambientale ndaj disa të dyshuarve, ndërsa Igli Haxhiaj, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Forcës së Posaçme Operacionale, ishte pjesë e grupit hetimor që kryente vëzhgimet dhe përgjimet.
Hetimet kanë provuar se Haxhiaj i ka zbuluar shtetasit me iniciale D.M., i konsideruar pjesë e grupit kriminal, informacion sekret mbi hetimet dhe përgjimet që po zhvilloheshin ndaj tij. Sipas SPAK, komunikimet janë realizuar përmes platformës së enkriptuar SKY ECC, ku Haxhiaj dyshohet se kërkonte 15 mijë euro në këmbim të informacionit hetimor. Po ashtu, nga bisedat e administruara në dosje rezulton se ai diskutonte edhe për tregtimin e lëndëve narkotike, pa referuar rastet tek prokuroria, ndonëse kishte detyrim ligjor si oficer i Policisë Gjyqësore. Për këto veprime, SPAK e akuzon për shpërdorim detyre, zbulim sekreti hetimor dhe korrupsion pasiv.