Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Besançon në Francë, ku një 36-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë në banesën e saj. Për rastin, autoritetet franceze kanë arrestuar bashkëshortin e saj 50-vjeçar, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me vdekjen e saj.
Sipas mediave franceze, 50-vjeçari kishte precedentë për dhunë në familje ndaj viktimës dhe ishte i njohur për policinë. Megjithatë, ndaj tij nuk kishte asnjë masë ndalimi që ta pengonte të afrohej apo të kontaktonte me bashkëshorten.
Ka qenë vetë ai që ka telefonuar shërbimet e emergjencës, i shoqëruar nga vajza e tij. Hetuesit e konsiderojnë personin e fundit që ka parë gjallë 36-vjeçaren, ndërsa ai vazhdon të mohojë çdo përfshirje në ngjarje.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se viktima mund të ketë humbur jetën si pasojë e asfiksisë. Prokuroria e Besançon ka bërë të ditur se kjo mund të jetë shkaktuar “ose nga përdorimi i medikamenteve, ose nga ndërhyrja e një personi të tretë”.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për “vrasje të bashkëshortit/bashkëshortes”, edhe pse deri më tani mungojnë prova të forta që të konfirmojnë pistën e femicidit. Në apartament nuk janë konstatuar shenja dhune apo përleshjeje, nuk janë gjetur gjurmë gjaku dhe në trupin e viktimës nuk janë evidentuar dëmtime të dukshme, përveç një shenje të lehtë në qafë, e cila ende nuk konsiderohet vendimtare për hetimin.
Autopsia dhe analizat toksikologjike, që pritet të kryhen gjatë ditës së sotme, do të jenë kyçe për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Çifti, me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, kishin disa fëmijë së bashku. Deri tani, autoritetet franceze nuk kanë bërë publik identitetin e viktimës dhe të bashkëshortit të saj.