Në muajin prill, Tafani u pagua 78 mln lekë për të helmuar policët e së ardhmes

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.05.2026, 10:03

56 studentë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë përfunduan në spital pas dyshimeve për helmim ushqimor, pasi konsumuan drekën e shërbyer në ambientet e institucionit. Studentët shfaqën simptoma si të përziera, dhimbje barku dhe të vjella, ndërsa u transportuan me urgjencë për ndihmë mjekësore. Pas trajtimit në spital, ata janë larguar jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave paraprake, ushqimi për studentët furnizohej nga kompania private “SORI-AL”, e cila kishte kontratë për shpërndarjen e tre vakteve ushqimore në ditë në Akademinë e Sigurisë. Pas incidentit, autoritetet nisën menjëherë hetimet dhe morën mostra ushqimore për analiza laboratorike me qëllim verifikimin e pranisë së kontaminimit apo shkeljeve të standardeve të sigurisë ushqimore.

“SORI-AL” është një kompani kateringu e themeluar në vitin 2003 dhe në pronësi të biznesmenes Alma Tafani, ish-bashkëshortja e kreut të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka. Kompania operon prej më shumë se dy dekadash në sektorin e furnizimit me ushqim për institucione shtetërore dhe private, ndërsa emri i saj është përmendur shpesh në lidhje me tenderë publikë me vlera të larta financiare. Sipas të dhënave të kontratës, “SORI-AL” është angazhuar për furnizimin me katering të studentëve të Akademisë së Sigurisë që prej 9 shtatorit 2025. Më 21 prill 2026, në kuadër të kësaj kontrate, rezulton të jetë kryer një pagesë prej 78 milionë lekësh për shërbimin e ushqimit. Pas helmimit të studentëve, kompania është vënë në qendër të hetimeve për dyshime mbi mënyrën e ruajtjes, përgatitjes dhe shpërndarjes së vakteve ushqimore.

Në lidhje me ngjarjen, Komisariati nr. 1 arrestoi kuzhinierin Kujtim Ballgjini, 52 vjeç, dhe teknologen Kristjana Plaka, 23 vjeçe, të dy punonjës të kompanisë që merrej me shpërndarjen e ushqimit në Akademi. Ndërkohë, administratorja dhe pronarja e kompanisë, Alma Tafani, është shpallur në kërkim nga policia. Në ambientet e Akademisë kanë zhvilluar kontrolle specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe strukturave të krimit ekonomik, të cilët kanë intervistuar studentët dhe kanë marrë mostra për ekzaminime laboratorike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit