Ish-oficeri i policisë britanike, Martin Anstee, 56 vjeç, ndodhet në izolim në një spital në Holandë, pasi u evakuua nga anija turistike MV Hondius, pas një shpërthimi të dyshuar me hantavirus.
Anstee, i cili punon si udhërrëfyes ekspedite dhe ka një të kaluar si polic, u transportua të mërkurën në spital së bashku me dy persona të tjerë për kontrolle të specializuara.
Ai ka deklaruar për mediat se ndihet mirë, por është nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor dhe në izolim, ndërsa po i nënshtrohet një sërë analizash për të përcaktuar gjendjen e tij shëndetësore. Sipas tij, ende nuk dihet sa do të zgjasë qëndrimi në spital.
“Jam në izolim për momentin dhe nuk e di sa do të zgjasë,” është shprehur ai.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani janë konfirmuar disa raste të infeksionit dhe tre persona kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë po mbahen nën monitorim ose vetëizolim.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar ka theksuar se izolimi mund të zgjasë disa javë pas ekspozimit, por rreziku për publikun mbetet i ulët.
Ekspertët e OBSH-së kanë sqaruar gjithashtu se situata nuk konsiderohet si një shpërthim i ngjashëm me COVID-19, duke ulur shqetësimet për përhapje masive.
Hetimet paraprake dyshojnë se infeksioni mund të ketë ardhur nga ekspozimi ndaj brejtësve në një zonë mbeturinash në Ushuaia, gjatë një ekskursioni për vëzhgim shpendësh nga disa pasagjerë të anijes.
Autoritetet shëndetësore po vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e saktë të shpërthimit dhe për të monitoruar të gjithë personat e ekspozuar.