Është bërë publike një shënim që dyshohet se i përket financierit Jeffrey Epstein, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në gusht të vitit 2019, në një rast që u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.
Dokumenti nuk është konfirmuar ende nga autoritetet amerikane, por është publikuar nga një gjyqtar federal në New York që po mbikëqyr një çështje penale të lidhur me ish-shokun e tij të qelisë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë The New York Times dhe NBC News, shënimi dyshohet se lidhet me një incident të korrikut 2019, kur Epstein, 66 vjeç, u gjet në gjendje të rëndë në qelinë e tij me shenja në qafë. Ai dyshohet se kishte tentuar vetëvrasje përpara ngjarjes fatale të gushtit.
Në letrën e publikuar thuhet ndër të tjera:
“Kam qenë nën hetim për muaj të tërë – NUK GJETËN ASGJË!!!”
Më tej vijon:
“Është një kënaqësi të jesh në gjendje të zgjedhësh kohën për të thënë lamtumirë.”
Dhe përmbyllet me:
“Çfarë dëshironi të bëj unë, të qaj? Nuk ia vlen.”
Sipas raportimeve, shënimi dyshohet se është gjetur nga Nicholas Tartaglione, një ish-oficer policie nga New York, i cili ka qenë i burgosur në të njëjtin institucion.Jeffrey Epstein u dënua në vitin 2008 për nxitje prostitucioni me të mitur, ndërsa në korrik 2019 u akuzua nga Departamenti i Drejtësisë amerikane për trafikim seksual të të miturve. Ai vdiq në burg ndërsa priste procesin gjyqësor.