Gazeta greke “Proinos Logos” ka raportuar se presidenti i PAS Giannina, Nikos Siontis, ka marrë një ofertë nga ish-futbollisti shqiptar Andi Lila dhe një biznesmen i fuqishëm shqiptar për të investuar në klub. Sipas artikullit, edhe pse Siontis ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i ekipit, ai ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit nëse sigurohet një investitor serioz për klubin grek.
Sipas medias greke, biznesmeni shqiptar ka zhvilluar një takim në Janinë me drejtuesit e klubit, ku janë diskutuar detajet financiare, borxhet dhe çështjet e pazgjidhura që lidhen me të ardhmen e ekipit. Gjithashtu, ai ka vizituar ambientet sportive të PEAKI Anatoli, aty ku skuadra stërvitej deri vonë, ndërsa në bisedime ka marrë pjesë edhe Andi Lila, i cili ruan lidhje të forta me klubin ku ka luajtur për disa sezone.
Artikulli thekson se kjo nuk është hera e parë që investitorë të huaj shfaqin interes për PAS Giannina. Disa muaj më parë u përfol edhe për interes nga biznesmenë kinezë, por negociatat nuk u konkretizuan kurrë në një ofertë zyrtare. Tashmë mbetet për t’u parë nëse iniciativa e re shqiptare do të sjellë ndryshime konkrete për të ardhmen e klubit grek.