Një situatë shqetësuese është denoncuar nga banorët e një kompleksi banimi në Tiranë, ku sipas tyre një drejtues mjeti parkon automjetin brenda ambientit të dedikuar për lojërat e fëmijëve, duke rrezikuar sigurinë e të vegjëlve dhe duke dëmtuar hapësirat e përbashkëta.
Sipas denoncimit, makina parkon pothuajse çdo ditë në zonën ku fëmijët luajnë, ndërsa hyrja e mjetit në këtë ambient bëhet në mënyrë të rrezikshme, duke krijuar frikë dhe pasiguri për banorët. Ata shprehen se përveç rrezikut për aksidente, automjeti po dëmton edhe infrastrukturën dhe ambientet e kompleksit.
Banorët thonë se kanë telefonuar disa herë policinë për të kërkuar ndërhyrje, por sipas tyre deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e situatës.
“Fëmijët dalin të luajnë dhe përballen me makina që futen mes tyre. Kemi kërkuar ndihmë vazhdimisht, por askush nuk po reagon”, shprehen të revoltuar banorët.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të ndaluar parkimin në ambientet e lojërave dhe për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe të komunitetit.