Vojsava Zenelaj, mund ta keni hasur këtë emër në tenderat investigativë të JOQ, kur bëhej fjalë për gllabërim të fondeve publike.
Sipas dokumenteve të administruara në sistemin e prokurimeve, më 1 korrik 2025 Zenelaj ka shlyer taksat që i kishte lënë prej 2 vitesh pa paguar. Vetëm pak javë më vonë, ajo hyn në garën për një tender me vlerë rreth 1.6 miliardë lekë të vjetra për uniformat e ILLYRIAN GUARD dhe rezulton fituese!
Mbi Vojsava Zenelajn ishte vendosur barrë siguruese për detyrimet tatimore që prej qershorit 2023. Megjithatë, megjithatë gjatë kësaj periudhe ajo ka vijuar të marrë pjesë dhe të fitojë tendera publikë për uniforma.
Ligji i prokurimeve publike parashikon se operatorët ekonomikë duhet të jenë të rregullt me detyrimet tatimore për të konkurruar në procedura të tilla. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë kaluar filtrat administrativë dhe kush ka garantuar vijimin e kontratave.
Burime nga dokumentacioni i tenderave tregojnë se Zenelaj ka përfituar të paktën 12 kontrata nga Bashkia e Tiranës ndër vite, kryesisht për uniforma të policisë bashkiake dhe veshje speciale.

Tenderi për uniformat e ILLYRIAN GUARD u zhvillua fillimisht në korrik 2025, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë. Procedura u shoqërua menjëherë me sinjale risku dhe u etiketua me “Flamur të Kuq” nga monitorues të transparencës së prokurimeve.
Në garë morën pjesë disa operatorë ekonomikë. Dy kompanitë që paraqitën ofertat më të ulëta u skualifikuan, ndërsa fituese u shpall Vojsava Zenelaj me ofertën më të lartë ekonomike, rreth 1.3 miliard lekë pa TVSH.
Ky vendim shkaktoi reagim të menjëhershëm nga operatorët konkurrues, të cilët e çuan çështjen në Komisioni i Prokurimit Publik. Në nëntor 2025, KPP pranoi ankesat dhe urdhëroi rivlerësim të ofertave brenda pesë ditëve, duke konstatuar probleme në mënyrën e skualifikimit.
Megjithatë, procedura nuk u anulua.
Roli i Lencit
Në shkurt 2026, në drejtimin e ILLYRIAN GUARD u emërua ish-deputeti socialist Florenc Spaho, njëkohësisht ish-drejtor i QSUT i njohur me nofkën Lenc pazarxhiu.
Pas marrjes së detyrës, një nga dosjet e para të trajtuara ishte pikërisht tenderi i uniformave, i cili kishte mbetur pezull për shkak të ankesave dhe shqyrtimit nga KPP.
Pak muaj më vonë, procedura u zhbllokua dhe u lejua vijimi i saj. Dokumentet e mëvonshme argumentonin skualifikimin e dy ofertave më të ulëta, duke i hapur rrugë kontratës së Vojsava Zenelajt.
Sipas llogaritjeve të bëra mbi ofertat ekonomike, diferenca mes ofertës fituese dhe alternativave më të ulëta arrinte në afro 400 milionë lekë, shumë që potencialisht mund t’i kurseheshin buxhetit të shtetit.