Qenushi humb syrin në një daycare për kafshë në Tiranë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.05.2026, 23:52

Një incident i ndodhur në një hotel për kafshë në Tiranë ka sjellë përplasje dhe reagime mes pronarëve të një qeni pekinez dhe administruesve të ambientit ku ai qëndronte në daycare. Gjithçka nisi pas një dëmtimi të rëndë në sy që kafsha pësoi gjatë qëndrimit aty, dëmtim që përfundoi me heqjen kirurgjikale të syrit pas disa javësh trajtimi.

Pronarja e qenit ka denoncuar rastin në redaksinë tonë, duke pretenduar se kafsha e saj u dëmtua pasi qentë e racave dhe madhësive të ndryshme mbaheshin së bashku në të njëjtin ambient. Sipas saj, një qen më i madh ka goditur pekinezin, duke i shkaktuar nxjerrjen e syrit. Ajo thotë se pas shumë përpjekjesh nga veterinerët për ta shpëtuar, qeni iu nënshtrua operacionit për heqjen e syrit në një spital veterinar në Tiranë.

Qytetarja shprehet se vendosi ta bëjë publik rastin për të ngritur shqetësimin që situata të tilla të mos përsëriten me kafshë të tjera, duke theksuar se shërbime të tilla duhet të kenë në qendër të vëmendjes sigurinë dhe kujdesin maksimal ndaj kafshëve.

Pas interesimit të redaksisë sonë, ka reaguar edhe hoteli për kafshë, i cili ka dhënë versionin e tij të ngjarjes. Sipas tyre, incidenti nuk ka qenë një sulm agresiv, por një moment i ndodhur gjatë lojës mes qenve, ku një qen tjetër e ka shtyrë pekinezin dhe përplasja i ka shkaktuar dëmtimin në sy.

Administruesit e hotelit shprehen se qentë kanë qenë nën mbikëqyrje në momentin e incidentit dhe se kafsha është dërguar për trajtim veterinar brenda pak minutash. Ata shtojnë se kanë kontaktuar vazhdimisht me familjen dhe me spitalin veterinar gjatë gjithë periudhës së trajtimit, madje duke ofruar edhe mbulimin e kostove mjekësore, por sipas tyre kjo nuk është pranuar nga familjarët.

Në reagimin e tyre thuhet gjithashtu se veterinerët kanë sqaruar se dëmtime të tilla janë të njohura tek qentë e racës pekinez, pasi bëhet fjalë për një racë me ndjeshmëri të lartë në zonën e syrit dhe dëmtime të tilla mund të ndodhin edhe nga goditje jo shumë të forta.

Nga ana tjetër, hoteli pretendon se pas ngjarjes ka pasur tensione dhe kërcënime nga familjarë të pronarëve të qenit, çka sipas tyre solli edhe ndërprerjen e komunikimit mes palëve.

Ndërsa secila palë mbron versionin e saj për atë që ndodhi, rasti mbetet një situatë e ndjeshme ku vështirë se mund të flitet për qëllim apo keqdashje. Megjithatë, ngjarja nxjerr në pah rëndësinë e kujdesit maksimal dhe masave parandaluese në ambiente ku qëndrojnë kafshë me madhësi dhe karakteristika të ndryshme, në mënyrë që incidente të tilla të shmangen sa më shumë në të ardhmen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit