Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar në East Kilbride të Skocisë, pasi u kap në një banesë të përshtatur për kultivimin e kanabisit me vlerë të konsiderueshme.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, Orlando Kreka tentoi të arratisej në momentin kur policia ndërhyri në banesë me urdhër kontrolli, pas dyshimeve për aktivitet të paligjshëm. Ai doli me vrap nga ambienti i brendshëm drejt oborrit, por u neutralizua nga efektivët dhe u arrestua në vend.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, autoritetet zbuluan një ambient të organizuar në katër zona të ndryshme për rritjen e kanabisit. Në total u gjetën 157 bimë, të shpërndara në dhoma gjumi dhe në papafingo.
Nga këto, rreth 80 bimë ishin në fazë të pjekur, me gjatësi deri në 1.5 metra, ndërsa pjesa tjetër ishin në faza më të hershme zhvillimi. Sipas ekspertëve, prodhimi i mundshëm arrinte një vlerë deri në 94 mijë paund.
Policia sekuestroi gjithashtu para në dorë dhe një pasaportë shqiptare në emër të të arrestuarit.
Çështja u shqyrtua në Hamilton Sheriff Court, ku i riu pranoi akuzën për prodhim kanabisi. Gjykata vendosi shtyrjen e dënimit për në fund të muajit maj, ndërsa ai do të qëndrojë në paraburgim deri në vendimin përfundimtar.
Rasti hedh sërish dritë mbi aktivitetet e kultivimit të drogës në banesa të zakonshme, që shpesh maskohen si shtëpi të pabanuara, por në fakt funksionojnë si laboratorë të mirëfilltë.