Një situatë shqetësuese po thellohet çdo ditë në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, ku banorët e një pallati po përballen me dëmtime serioze në banesat e tyre, pas nisjes së punimeve për një ndërtim të ri ngjitur me godinën ekzistuese.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, problemet kanë nisur menjëherë pas hapjes së gropës për themelet e pallatit të ri. Që nga ai moment, në apartamente janë shfaqur çarje të dukshme në mure dhe tavane, ndërsa në disa raste dëmtimet janë afruar edhe pranë elementëve mbajtës të strukturës, duke ngritur alarmin për rrezik real.
Banorët shprehen se punimet po kryhen pa respektuar standardet e sigurisë dhe pa marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e ndërtesave përreth. Lëvizjet e tokës të shkaktuara nga ndërhyrja kanë ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e pallatit ekzistues.
“Po na çahet shtëpia para syve. Nuk dimë nëse jemi të sigurt brenda,” shprehet një prej banorëve, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet.
Situata paraqitet kritike, pasi çdo vonesë mund të sjellë përkeqësim të mëtejshëm të dëmtimeve dhe rrezik për jetën e familjeve që jetojnë aty. Banorët kërkojnë verifikim të menjëhershëm teknik, transparencë mbi lejen e ndërtimit dhe pezullim të punimeve deri në garantimin e plotë të sigurisë.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin e punimeve në zona të banuara dhe mbi përgjegjësinë e institucioneve për të mbrojtur qytetarët.
Apeli i banorëve është i qartë, ndërhyrje e menjëhershme para se situata të dalë jashtë kontrollit.