11 milionë euro vjedhje në RTSH/ Fiton tenderin Idlir Karkini, i dyshuar se fikte radarët kur kalonte droga

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.05.2026, 21:15

Një tjetër hije e rëndë dyshimi mbi korrupsionin dhe fituesit e paracaktuar ka rënë mbi Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH, e cila sapo ka mbyllur një nga tenderat më të majmë të vitit.

Bëhet fjalë për procedurën me objekt "Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2", me numër reference REF-78347-03-05-2026, ku shifra e vënë në dispozicion nga taksapaguesit është marramendëse.

Shifrat që "bërtasin": Fituesi merr 99.1% të fondit limit!

Fondi limit i përcaktuar nga RTSH ishte 906,933,333.33 Lekë pa TVSH. Fituesi i shpallur është bashkimi i operatorëve “IDEA – TEL” Sh.p.k dhe “REAL COM” Sh.p.k, të cilët kanë ofruar vlerën 899,280,000 Lekë pa TVSH, ose rreth 11.2 milionë euro me TVSH.

Nga një llogaritje e thjeshtë rezulton se:

Vlera fituese kap 99.15% të fondit limit. Kjo diferencë qesharake prej më pak se 1% tregon qartë se nuk ka pasur asnjë lloj gare reale, por thjesht një procedurë formale për të transferuar paratë publike në llogaritë e caktuara.

Skandali me skualifikimin: "Flaket" oferta 11 milionë euro më e lirë!

Dokumentacioni i tenderit nxjerr në dritë një fakt tronditës. Në garë kanë marrë pjesë vetëm 3 operatorë. Njëri prej tyre ka bërë një ofertë që në çdo vend normal do të konsiderohej si shpëtim për arkën e shtetit: ai ka ofruar gati 11.1 milionë euro më pak se fituesi!

Megjithatë, RTSH ka zgjedhur ta skualifikojë këtë garues me pretendimin e "mungesës së autorizimit" nga prodhuesi, një manovër që duket si një lojë e pastër fjalësh me dokumentacionin për të hapur rrugën drejt fituesit të paracaktuar.

Kur diferenca mes ofertave është kaq e madhe, çdo institucion do të duhej të bënte përpjekje maksimale për të rregulluar mangësitë formale, por RTSH ka vepruar me "shpejtësi rrufe" për të zgjedhur ofertën më të shtrenjtë.

Kush fshihet pas fituesve? Emri "VIP" i Idlir Karkinit

Bie në sy se pronari i njërës prej firmave fituese, IDEA-TEL, është Idlir Karkini, një emër që nuk është aspak i panjohur për drejtësinë dhe median. Karkini është lakuar shpesh si një "klient" i përhershëm i tenderave të majmë, por edhe për telashe me ligjin:

  • Afera e Radarëve: Emri i tij u bë publik për tenderin e mirëmbajtjes së sistemit të radarëve të ushtrisë, një kontratë që u denoncua fort në media për mungesë transparence.
  • Arresti për pronat në Spille: Në vitin 2018, ndaj Idlir Karkinit u dha masa e sigurisë "arrest me burg" nga Gjykata e Kavajës nën akuzën e abuzimit me pronat në Spille, ku u dyshua se kishte tjetërsuar një poligon qitjeje të Ministrisë së Mbrojtjes në pronë private.
  • Lidhjet e vjetra me RTSH: Nuk është hera e parë që ai merr shuma të mëdha nga ky institucion. Media ka denoncuar edhe më parë kontrata milionë euroshe për mirëmbajtje rrjetesh që asokohe as nuk ishin ndërtuar ende.

Nga ana tjetër, firma partnere “REAL COM” është në pronësi të Marjan Brrakës, Pëllumb Xhetanit dhe Servet Kasës, duke kompletuar kështu grupin që do të vjelë 11.2 milionë eurot e radhës.

Dyshime për manipulim të pastër

Gjithë skema e ndërtuar: fondi limit që preket pothuajse në maksimum, skualifikimi i ofertës skandalozisht më të lirë dhe shfaqja e emrave të "përjetshëm" të tenderave, ngre dyshime të forta se ky tender është manipuluar që në zanafillë.

A do të ketë një reagim nga organet e akuzës për këtë "dhuratë" 11 milionë euroshe në mes të ditës, apo RTSH do të vazhdojë të jetë "pashallëku" i radhës ku paratë e shqiptarëve ndahen mes miqsh?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit