Mes dhimbjes së thellë, familja Muçaj ka vendosur të flasë publikisht, duke ndarë historinë e djalit të tyre, ëndrrat e tij dhe detaje që, sipas tyre, hedhin dritë mbi një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur Durrësin në vitet e fundit.
Babai i 13-vjeçarit, Ermal Muçaj, rrëfen se humbja e të birit e ka lënë të shkatërruar, ndërsa kujtimi i tij është i pranishëm në çdo moment të ditës.
“Ikja, lëvizja, tani më preu krahët. Këto ditë i kaloj se kur dal në çdo cep më duket sikur më thërret: ‘o babi, po pse s’më merr?’. Do vij o babi, i them, do vij. Kështu që s’kam komente. Çfarë të them më? Flas, kudo në çdo cep e shoh, më del. ‘Pse s’më merr babi?!’, më thotë. Do vij, i them. Vetëm më thërret”, u shpreh ai.
Enea humbi jetën në një moment të zakonshëm, teksa ishte duke ngrënë akullore me mikun e tij të afërt, Klesin, i cili gjithashtu nuk arriti të mbijetojë. Në vendngjarje ndodhej edhe kushëriri i tyre, Arbioni, vetëm 8 vjeç, i cili po vijon betejën për jetën pas një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale në Spitalin e Traumës.
I riu kishte plane dhe dëshira të thjeshta, por të qarta për të ardhmen. Ai priste me padurim një udhëtim me klasën drejt Vlorës dhe kishte një lidhje të fortë me të atin, të cilin e shihte si model për jetën e tij.
“E shihja e buzëqeshte e i thosha ‘He merr bab do ti ngjash babit?’. ‘Po’ më thoshte. ‘Do bëj profesionalen, do vij me ty të ndihmoj’ thoshte. Mekanik… Ishte shumë i pasionuar..”, tregoi babai.
Por sipas familjarëve, tragjedia nuk ishte e papritur. Ata pretendojnë se rreziku kishte kohë që denoncohej, por nuk u morën masa konkrete për ta parandaluar.
“Nuk ia kam pasur borxh njeriut edhe nuk e di. Nuk e di se si… do ishte parandaluar me 100 firma. Kishim muaj, muaj e muaj që merrnim tabulatet, telefonatat nga gjithë banorët e lagjes. Edhe policia vinte, qeshte… një gjë qesharake”, tha ai.
Akuza e tij është e drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe mungesës së sigurisë në rrugë, duke theksuar se situata ishte e përsëritur dhe e njohur nga autoritetet.
“Ishte i përditshëm, i përditshëm. Tapë. Ecte në mënyrë të pakontrollueshme, por policët e korruptuar e lanë, pinin kafe dhe kthenin fletën.
Institucioneve do t’u thoshim: në rrugë s’po na i lini të kalojnë kalamajtë, në trotuar po na i shtypni. Tashti parqe s’keni bërë. Ku mund t’i lëmë fëmijët? Vetëm këtë të na thonë, se ku mund t’i lëmë?…”, u shpreh i ati.
Në të njëjtën gjendje tronditjeje është edhe gjyshja e Eneas, e cila mezi gjen forcë për të përballuar humbjen e nipit që kishte rritur me përkushtim, ndërsa pret lajme për nipin tjetër të plagosur.
“Gjyshe jam po mezi e kam rritur. Edhe më iku çuni, 13 vjeç tani… çfarë të them, siç më sheh. Mezi qëndroj në këmbë. Vetëm e keqja se duhet durim. Durim djali, do durim nusja. Ne jemi gjyshër, po këta janë prindër. Edhe kështu që… do bëj durim, po është dhimbje shumë e fortë”, tha ajo.
Sot, familja përpiqet të gjejë forcë tek fëmijët e tjerë, ndërsa dhimbja mbetet e pandashme nga përditshmëria.
“Forcë shoh te ky, sikur atë e kam afër. Shoh këtë edhe gocën, them i kam afër, po ai prapë duket sikur më thërret”, u shpreh i ati.
Mes dhimbjes dhe kujtimeve, familjet Muçaj dhe Nikolli kërkojnë drejtësi për dy të miturit që humbën jetën dhe masa konkrete që tragjedi të tilla të mos përsëriten më në rrugët e qytetit.