Një mbledhje e Asamblesë së Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, e cila duhej të ishte një takim rutinë organizativ në ambientet e teatrit të qytetit, është shndërruar në një arenë të vërtetë përplasjesh dhe fyerjesh të rënda, ku kryeministri Edi Rama ka "kryqëzuar" hapur ish-kryebashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçin, raportojnë mediat.
Ajo që nisi si një bisedë me dyer të mbyllura, u kthye shpejt në një gjyq publik politik për figurën simbol të Tepelenës, i cili u përball me një breshëri akuzash që varionin nga sabotimi i strukturave partiake e deri te orkestrimi i fushatave të ulëta denigruese ndaj kolegëve të tij socialistë.
Sipas burimeve për mediat nga brenda takimit, Rama e ka humbur durimin duke e akuzuar Peçin si "ustain" e prapaskenave dhe lajmeve të rreme në qark. Kryeministri ka lëshuar akuza të forta se Peçi ka përdorur njerëzit e tij për të goditur pas shpine kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Golemi, duke shpifur deri në detaje banale për gjendjen e tij shëndetësore.
Nuk ka shpëtuar nga sulmi as situata në Tepelenë e Përmet, ku Rama ka theksuar se Peçi është kthyer në një pengesë për punën e Gramos Sakos, duke instaluar një "klan" familjar me kunetër e njerëz të afërt në administratë vetëm për të ruajtur kontrollin e tij personal mbi territorin.
Momenti më i tensionuar i mbledhjes ka qenë ballafaqimi direkt, ku Tërmet Peçi, në një përpjekje të dëshpëruar për të zbutur zemërimin e liderit, ka përdorur nota të larta servilizmi duke iu drejtuar me fjalët: “Komandant, unë jam ushtari yt!”.
Mirëpo, kjo deklaratë ka prodhuar efektin e kundërt te Rama, i cili me një gjuhë brutale i ka prerë fjalën duke i bërë të qartë se koha e tij ka mbaruar dhe se në atë sallë ka njerëz shumë më të aftë se ai. Kryeministri ka ironizuar "thashethemet që nisin nga kalaja e Ali Pashait", duke i cilësuar ato si të parëndësishme për qeverisjen e tij.
Degradimi total i figurës së Peçit u vulos në fund të takimit, kur Rama, përpara të gjithë të pranishmëve, ka përdorur një fjalor rruge duke i thënë tekstualisht: “O Tërmet, mos na çaj b*thën!”, dhe është larguar menjëherë duke lënë pas një heshtje vdekjeprurëse.
Ky sulm i paprecedentë dhe kaq i hapur sinjalizon një krisje të pariparueshme që mund të çojë në mënjanimin total të Tërmet Peçit nga strukturat politike, ndërkohë që Rama duket i vendosur të çmontojë çdo "ishull" pushteti lokal që guxon të sfidojë hierarkinë e re të Partisë Socialiste në jug të vendit.