JOQ denoncoi dje një tender të investiguar të AKSHIT të kaluar nën kompetencën e Linda Bukuroshes së OBP.
Tenderi me vlerë mbi 1 Miliard Lekë për instalimin e sistemit e-gate në portin e Durrësit dhe të Sarandës iu dha kompanisë Albascan. Pronar i kësaj kompanie rezultojnë Elton dhe Elison Jorgjis, konkretisht persona nën hetim nga SPAK për pastrim parash dhe korrupsion në tenderat e AKSHIT.
Burime konfidenciale për JOQ bëjnë me dije se Jorgjis janë pjesë e një strukturë të dyshuar të lidhjeve të fshehura biznesore dhe ndërhyrjeve në tendera publikë.
JORGJIS PUPPETI I KASAJT
Sipas të dhënave që po hetohen nga SPAK, pas “Albascan” dyshohet se qëndron biznesmeni Laert Kasaj, i cili përmendet në dokumentet paraprake si personi real me ndikim pas kompanisë. Formalisht, pronësia e firmës është e ndarë mes Elison Jorgjit, i cili figuron me 50% të aksioneve, dhe një të afërmi të tij që mban pjesën tjetër, ndërsa Jorgji konsiderohet si figurë e përdorur si “prestanome”.
Një dëshmi e administruar më 8 janar 2026 nga SPAK, e dhënë nga Migena Schroeder, pronare e kompanisë “AESS”, hedh dritë mbi mënyrën se si është konceptuar projekti i quajtur “Smart Lab” për shkollat. Ajo ka deklaruar se në vitin 2022 është kontaktuar nga ish-zëvendësdrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, i cili i ka propozuar përfshirjen në projekt dhe e ka orientuar bashkëpunimin me “Albascan”.
Sipas deklarimeve të saj, përpara se procedura e tenderit të bëhej publike, i është bërë me dije se zbatimi i projektit do të realizohej përmes “Albascan” dhe se ajo duhej të komunikonte me përfaqësuesin e kësaj kompanie, Elison Jorgji. Në këtë fazë, dyshohet se janë krijuar lidhje paraprake mes operatorëve ekonomikë, përpara se të hapeshin zyrtarisht garat.
Arsyeja e bashkëpunimit, sipas komunikimeve të pretenduara, lidhej me faktin se kompania kishte akses në pajisje të caktuara dhe synimi ishte që projekti të paraqitej me kompani me profil ndërkombëtar.
SPAK SEKUESTRON PARATË E TENDERAVE QË I KA DHËNË
Ironik është fakti se më 22 Prill SPAK ka sekuestruar asetet e të të përfshirëve në dosjen AKSHI ku bënte pjesë edhe llogaria kompanisë Albascan, me vlerë financiare prej 1 miliard e 8 milion lekë të vjetra nga dy prokurorët e çështjes Altin Dumani dhe Bledar Maksuti.
Gjatë drejtimit të SPAK nga Dumani, kjo kompani ka fituar në SPAK dy tendera me vlerë totale prej 798 milion lekë të vjetra për ndërtimin e “umbrellës” kibernetike të mbrojtjes.
Pra SPAK i ka sekuestruar kësaj kompanie paratë që i ka dhënë vetë në temdera...
Sipas të dhënave, më 28 janar 2025, Prokuroria e Posaçme ka kryer dy pagesa drejt “AlbaScan”: një prej 240 milionë lekësh të vjetra për pajisje skanimi të bagazheve, skanerë zarfesh dhe ura kontrolli, si dhe një tjetër prej 539 milionë lekësh të vjetra për skanerë automjetesh dhe bollardë automatikë.
Një tjetër transaksion është regjistruar më 20 janar 2025, ku SPAK ka paguar 18 milionë lekë të vjetra për pajisje karikimi të automjeteve elektrike. Në total, vetëm nga SPAK, kompania ka përfituar rreth 798 milionë lekë të vjetra.
Paralelisht, rezulton se edhe GJKKO i ka akorduar “AlbaScan” rreth 120 milionë lekë të vjetra për furnizimin me skanerë dhe ura metal-dedektorësh.
Më 20 prill 2026, SPAK dhe GJKKO kanë vendosur të sekuestrojnë pikërisht këtë vlerë financiare, pavarësisht se ua kanë paguar më herët vetë institucionet.
Tenderi i blerjes së skanerëve të SPAK, ka dalë dhe në dosjen që vetë SPAK po e heton me çështjen AKSHI.