I forti i Niklës, Marklen Haka nuk do të përfitojë gjykim të shkurtuar

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.05.2026, 14:33

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që Marklen Haka, i njohur si një nga personazhet më të përfolur të zonës së Niklës, të mos përfitojë nga gjykimi i shkurtuar, por të përballet me proces të zakonshëm gjyqësor.

Vendimi u mor këtë të mërkurë, kur trupa gjykuese vendosi ndarjen e dosjes së Hakës nga ajo e të pandehurve të tjerë të përfshirë në të njëjtin hetim.

Ndërkohë, GJKKO pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për disa prej të akuzuarve, mes tyre Aldo Avdyli, Edson Jozëik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja dhe Durim Bami.

Për këta gjashtë të pandehur, më 20 maj pritet që SPAK të shpallë pretencën përfundimtare.

Hetimet e nisura pas zbërthimit të komunikimeve në platformën e koduar SKY ECC nxorën në dritë ekzistencën e disa grupeve kriminale të dyshuara për përfshirje në kultivim dhe trafik narkotikësh, sigurim kushtesh për kryerje atentatesh, si edhe aktivitete të tjera të rënda kriminale, të realizuara sipas dosjes në bashkëpunim me elementë të strukturave policore.

Në total, operacioni çoi në lëshimin e 50 urdhër-arresteve nga SPAK, ndërsa çështja është fragmentuar në disa procese të veçanta gjyqësore.

Vetëm pak ditë më parë, për një tjetër fraksion të kësaj dosjeje, prokuroria speciale kërkoi plot 127.6 vite burg për një sërë emrash të njohur të botës së krimit, mes tyre Emiljano Shullazi, Gjergji Cukali, Astrit Avdyli, Xhelal Rraja dhe Viktor Imeraj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit