145 mijë lekë nata, 530 MILIONË Lekë hotelit të oligarkut për mjekët-sulltanë turq në Fier

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 06.05.2026, 14:20

Teksa bluzat e bardha shqiptare braktisin vendin çdo ditë drejt Gjermanisë apo Italisë për shkak të pagave qesharake dhe kushteve të vështira të punës, shteti shqiptar duket se ka gjetur "thesin e parave" në xhepat e popullit për të qërasur me sulltanete mjekët e huaj.

Një tender i sapombyllur nga Linda bukuroshja e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara për llogari të Spitalit Rajonal "Memorial” të Fierit, zbulon shifra marramendëse që do të dalin nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Mbi 530 milionë lekë do t’i paguhen brenda një viti oligarkëve të ZRAVAS, Ylli Zdravës, Dashnor e Kastriot Sinanaj që zotërojnë hotelin ku do të akomodohet personeli turk i spitalit të Fierit. Këta oligarkë kanë lidhje të forta me Eriselda Sefën, kryebashkiaken e Lushnjes, subjekt për hetim për ndarje parash me pushtetin. Lidhje të denoncuara shpesh në mediat investigative.

Me një llogari të thjeshtë, akomodimi kushton rreth 145 mijë lekë nata për person, një shifër që do ta kishin zili edhe hotelet me 5 yje në metropolet evropiane.

Paralelizmi është i dhimbshëm. Një mjek i ri shqiptar në spitalet tona publike shpesh nuk paguhet as sa gjysma e asaj që shteti shpenzon vetëm për fjetjen e një kolegu të huaj. Ndërkohë që mjekët tanë aktualë përballen me mungesa bazike dhe rroga që mezi mbyllin muajin, për stafin turk "kushdo që paguan" është kujdesur deri në detajet më ironike.

Dokumentet e tenderit lexohen si një guidë luksi, ku shteti shqiptar ka marrë rolin e "inspektorit të higjienës" me një zell që nuk e shohim kurrë në pavijonet e spitaleve ku lëngojnë pacientët shqiptarë.

Duket se buxheti i shtetit nuk ka limit kur bëhet fjalë për hidratimin e mjekëve të importuar me çaj turk pa limit dhe mëngjes të përfshirë.

Ndërkohë që pacientët shpesh flenë në krevate metalikë të ndryshkur me dyshekë të çarë, specifikat e salltaneteve për mjekët turq janë çmenduri luksi.

Çarçafët duhet të jenë 100% pambuk ose cilësi më e lartë", materiale "të buta për kontakt të drejtpërdrejtë me trupin", cilësojnë specifikat.

Ky tender nuk është thjesht një procedurë prokurimi, por është pasqyra e një sistemi që vlerëson më shumë "fasadën" e importuar sesa kapitalin njerëzor që rrit dhe edukon vetë. 530 milionë lekë për një vit hotel, ndërkohë që shëndetësia shqiptare "lëngon" për investime bazike. Shqiptarët paguajnë, oligarkët arkëtojnë, mjekët tanë... ikin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit