“Agjencia ‘SAFE WORK FRANCE’ më mashtroi, mori 1020 € dhe nuk mbajti premtimin”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.05.2026, 13:17

Një qytetar shqiptar ka denoncuar një rast të dyshuar mashtrimi nga një agjenci rekrutimi që operon për punësim në Francë, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si funksionojnë këto subjekte dhe rrezikun që u kanoset aplikantëve.

Sipas dëshmisë së tij, bëhet fjalë për agjencinë SAFE WORK FRANCE, me të cilën ai ka zhvilluar një komunikim të gjatë përmes email-eve, mbi 90 shkëmbime në total. Fillimisht, agjencia i kishte premtuar se procesi i punësimit nuk do të kishte tarifa shtesë përtej një pagese fillestare.

Megjithatë, situata ka marrë një tjetër rrjedhë. Qytetari tregon se, në mënyrë të vazhdueshme, agjencia i ka kërkuar pagesa të reja, duke i justifikuar si “tarifa të paparashikuara” që lindnin gjatë procedurës. Duke i besuar çdo herë se bëhej fjalë për pagesën e fundit, ai ka vijuar të paguajë, derisa shuma totale ka arritur në 1020 euro.

“Çdo herë më thuhej se kjo ishte tarifa e fundit dhe se procesi do të përfundonte së shpejti”, shprehet ai, duke shtuar se premtimet nuk janë mbajtur dhe kërkesat për pagesa kanë vijuar.

I gjendur përballë kësaj situate, qytetari ka kërkuar nga agjencia prova konkrete për tarifat e reja që i kërkoheshin, si dhe ka kërkuar ndërprerjen e procedurave dhe kthimin e shumës së paguar. Në komunikimet e fundit, ai i është drejtuar zyrtarisht agjencisë për të kërkuar sqarime dhe rimbursim.

Por përgjigjja e marrë ka qenë negative. Sipas tij, agjencia ka refuzuar të kthejë shumën prej 1020 euro dhe ka vendosur të ndërpresë procedurat pa asnjë kompensim financiar.

Ky rast ngre pikëpyetje të forta mbi transparencën dhe besueshmërinë e disa agjencive ndërmjetësuese për punësim jashtë vendit, të cilat shpesh shfrytëzojnë shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirë.

Qytetari apelon që rasti i tij të shërbejë si paralajmërim për të gjithë ata që synojnë të punojnë jashtë Shqipërisë, duke i këshilluar të verifikojnë me kujdes çdo agjenci dhe të shmangin pagesat e përsëritura pa dokumentacion të qartë dhe garanci ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit