Bëri 17 operacione në fëmijëri, historia prekëse e Matias, Spider-Mani i spitaleve që gëzon fëmijët e sëmurë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 06.05.2026, 13:02

Ajo që për shumë fëmijë është një vend i përkohshëm, për Mattia Villardita u bë realitet i përditshëm që në moshën 7-vjeçare. Tingujt e pajisjeve mjekësore, dritat e forta që nuk fiken dhe netët e gjata mes dhimbjes e frikës ishin pjesë e rutinës së tij. I lindur me deformime të rralla në gjymtyrë, ai kaloi plot 17 ndërhyrje kirurgjikale në spitale të ndryshme në Itali.

Fëmijëria e tij nuk njohu oborre lojërash, por korridore spitalesh, seanca fizioterapie dhe periudha të gjata rikuperimi. Në atë realitet të vështirë, një nga ngushëllimet e pakta ishte një libër komik i vjetër i Spider-Man, dhuratë nga gjyshi i tij. “Shpresoja që Spiderman të hynte nga dritarja dhe të më merrte përdore”, kujton ai sot.

Vitet kaluan, por sfidat shëndetësore i ndërprenë ëndrrat për t’u bërë sportist apo pjesë e ushtrisë. Megjithatë, ai gjeti një rrugë tjetër për t’i dhënë kuptim përvojës së tij... bleu një kostum Spider-Man dhe u kthye në të njëjtat spitale, këtë herë jo si pacient, por si burim shprese.

Që nga viti 2017, Mattia shfaqet në repartet pediatrike i veshur si superheroi i njohur, duke u dhënë kurajë dhe energji pozitive fëmijëve që përballen me sëmundjen. “Sa herë hyj në një dhomë, mendoj për fëmijën që kam qenë vetë”, thotë ai.

Puna e tij nuk kaloi pa u vënë re. Në vitin 2021, presidenti italian Sergio Mattarella e dekoroi me titullin “Kalorës i Meritës”, në shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe humanizmin e tij ndaj fëmijëve të sëmurë.

Sot, ai ndiqet nga një audiencë e gjerë në rrjetet sociale dhe është përzgjedhur nga Sony si përfaqësues në Itali për promovimin e filmit Spider-Man: Brand New Day.

Megjithatë, përtej famës dhe vlerësimeve, mesazhi i tij mbetet i thjeshtë dhe i ndjerë: “Do të doja që një ditë ky kostum të mos ishte më i nevojshëm. Por derisa spitalet të jenë plot me fëmijë që vuajnë, unë do të jem aty.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit