“Je rrëmbyes?”/ Rrëmbeu dhe vrau 7-vjeçaren, dënohet me vdekje 34-vjeçari

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.05.2026, 12:32

Një nga krimet më tronditëse të viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara ka marrë një përfundim të rëndë në sallën e gjyqit. Tanner Horner, 34-vjeçari i shpallur fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e 7-vjeçares Athena Strand, është dënuar me vdekje.

Ngjarja tragjike ndodhi në nëntor të vitit 2022 në Paradise, Texas, një komunitet i vogël që u përfshi nga dhimbja dhe tronditja pas zhdukjes së vogëlushes. Sipas autoriteteve, Horner, i cili punonte si shofer shpërndarës për FedEx, kishte shkuar në zonë për të dorëzuar një pako.

Hetimet zbuluan se ai iu afrua shtëpisë së Athenës duke mbajtur një kuti me kukulla Barbie, të menduara si dhuratë për festat e fundvitit. Në vend që të largohej, ai e rrëmbeu vajzën, e futi në kamionin e tij dhe, pak kohë më vonë, i mori jetën. Trupi i pajetë i 7-vjeçares u gjet më pas në një përrua, rreth 14 kilometra larg banesës së saj.

Provat e paraqitura në gjykatë përfshinë edhe audio rrëqethëse nga momentet e fundit të vogëlushes. Në regjistrim dëgjohet Athena duke e pyetur me pafajësi:

“A është kjo shtëpia jote?”

Ndërsa Horner i përgjigjet se nuk jeton aty pranë.

Pak minuta më vonë, zëri i saj bëhet i shqetësuar:

“Ku po shkojmë? Çfarë po bën?”

Përgjigjja e tij ishte e ftohtë:

“Do të rrimë pak bashkë.”

Në një nga momentet më të dhimbshme të audios, vajza, mes lotësh, e pyet:

“Je rrëmbyes? Pse po ma bën këtë?”

Ndërsa ai i përgjigjet:

“Sepse je e bukur. E di këtë?”

Ky detaj i fundit ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka nxitur reagime të forta për ashpërsimin e dënimeve ndaj krimeve ndaj fëmijëve. Rasti i Athena Strand mbetet një plagë e hapur për familjen dhe një kujtesë e dhimbshme për rreziqet që mund të fshihen edhe në situatat më të zakonshme të jetës së përditshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit