Ngjarja tragjike e ndodhur në zonën e Ish-Kënetës në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën pasi u përplasën nga një automjet, ka rritur ndjeshëm reagimin e komunitetit për sigurinë rrugore. Në këtë klimë të tensionuar, banorët e fshatit Arapaj kanë denoncuar një tjetër rast problematik, duke akuzuar 22-vjeçarin Albi Bizgjoni për sjellje të rrezikshme dhe shkelje të përsëritura të rregullave të qarkullimit.
Sipas kronologjisë së ngjarjeve të raportuara nga banorët, problemet me të riun kanë nisur prej kohësh. Ata pretendojnë se ai kryen vazhdimisht manovra të rrezikshme në rrugët e fshatit dhe në një rast ka goditur me automjet një banore. Pas incidentit është njoftuar policia, por sipas tyre nuk është marrë asnjë masë konkrete. Të shqetësuar, disa banorë janë paraqitur që në orën 06:00 të mëngjesit në komisariatin e policisë për të depozituar ankesat, duke theksuar se ndihen të kërcënuar dhe se situata po ndikon edhe tek fëmijët e zonës.
Në këtë kontekst, banorët përmendin edhe përfshirjen e motrës së 22-vjeçarit, shtetases S. B., 20 vjeçe, e cila sipas tyre është punonjëse policie. Ata pretendojnë se ajo ka pasur konflikte me disa banorë, ndërsa zyrtarisht rezulton se më 26 prill është proceduar penalisht pasi dyshohet se ka goditur me mjet prerës një 31-vjeçare me inicialet E. K., duke i shkaktuar lëndime të lehta. Aktualisht, pesë banorë vijojnë të qëndrojnë në komisariat, ku kërkojnë ndërhyrje dhe masa konkrete nga autoritetet për të garantuar sigurinë në komunitet.