Ishte nisur nga Shqipëria, anija me 8 mijë ton sodë përplaset me shkëmbinjtë dhe fundoset në Greqi.

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.05.2026, 08:29

Një aksident detar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në veri të ishullit Andros, në Greqi, ku një anije mallrash me flamur të Vanuatu-s është fundosur pasi u përplas me shkëmbinjtë.

Sipas të dhënave paraprake, anija ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Ukrainën dhe transportonte rreth 8 mijë ton sodë. Goditja në zonën shkëmbore i shkaktoi dëme të rënda strukturës së saj, duke çuar në fundosjen e plotë.

Në bord ndodheshin nëntë anëtarë ekuipazhi, tetë shtetas turq dhe një azerbajxhanas. Fatmirësisht, të gjithë janë shpëtuar falë një operacioni të shpejtë dhe të koordinuar nga Roja Bregdetare greke.

Dy prej marinarëve u nxorën nga deti nga një anije patrulluese, ndërsa shtatë të tjerët u lokalizuan në një zonë të vështirë shkëmbore dhe u shpëtuan me ndërhyrje të specializuar. Më pas, të gjithë u transportuan në portin e Andros, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Në operacionin e shpëtimit u angazhuan disa mjete detare dhe ajrore, përfshirë anije të Rojës Bregdetare, mjete ndihmëse, anija e pasagjerëve “Samos”, si dhe një helikopter i Forcave Ajrore.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndikim mjedisor nga ngarkesa e fundosur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit