“Tani e keni radhën ju!”, dëshmia rrëqethëse që çoi pas hekurave djalin që vrau babanë në Konispol

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.05.2026, 20:43

Një tragjedi familjare që nisi me një krim makabër dhe përfundoi me një tjetër vrasje ka marrë sot një kthesë të re ligjore me prangosjen e Klementin Islamajt.

43-vjeçari nga fshati Shalës i Konispolit u arrestua nga policia e Sarandës këtë të martë, pasi Gjykata e ka dënuar përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale të vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike. Kjo ngjarje e rëndë, e cila daton më 10 gusht të vitit 2024, mbetet një nga historitë më të dhimbshme të zonës, ku brenda pak minutash një familje u shkatërrua plotësisht.

Gjithçka nisi kur babai i Klementinit, 69-vjeçari Hysen Islamaj, kreu krimin e parë duke vrarë bashkëshorten e tij, Shano Islamajn. Sipas dëshmisë rrëqethëse të vetë Klementinit, sapo ai ishte futur në banesë ishte përballur me një skenë tmerri ku trupi i nënës së tij dergjej në dysheme mes pellgut të gjakut.

Në ato momente kritike, i ati i kishte dalë përpara me një gotë në dorë dhe me një ftohtësi makabre i ishte përgjigjur pyetjes së djalit duke i thënë se kishte bërë atë që kishte dashur dhe se tashmë radhën për të vdekur e kishte ai dhe pjesa tjetër e familjes.

Nën efektin e tmerrit dhe frikës se i ati mund të kishte vrarë edhe fëmijët e tij që nuk po i gjente në banesë, Klementini u përfshi në një përleshje fizike me 69-vjeçarin. Ai ka rrëfyer se pasi u godit në fytyrë me gotë nga i ati, nisi ta godiste atë me grushte dhe shkelma deri sa plaku u rrëzua në tokë.

Ndonëse ka deklaruar se u pendua menjëherë dhe u mundua t'i jepte ndihmën e parë duke e kthyer përmbys që të merrte frymë, goditjet rezultuan fatale për të moshuarin. Pas kësaj, ai pa me sytë e tij nënën që jepte frymën e fundit, përpara se të dilte në oborr duke ulëritur për ndihmë.

Sot, pas vlerësimit të të gjitha provave dhe rrethanave lehtësuese të vetëmbrojtjes në kushte ekstreme, drejtësia ka dhënë fjalën e fundit. Ndonëse tragjedia nisi nga agresioni i të atit, Klementin Islamaj do të duhet të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Sarandës, duke u mbyllur kështu pas hekurave një histori që nisi me gjakmarrje brenda llojit dhe përfundoi me një familje të shuar e një djalë të dënuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit