Nëna e 19-vjeçares Myrto, e cila humbi jetën tragjikisht më 14 prill 2026 në Argostoli, ka rrëfyer për mediat greke detaje prekëse dhe tronditëse mbi humbjen e vajzës së saj.
Në dëshminë e saj, ajo e përshkroi të bijën si një vajzë të qetë dhe të sjellshme, e përkushtuar ndaj studimeve për t’u bërë asistente mikrobiologe në një kolegj profesional në Argostoli.
Sipas saj, një natë para ngjarjes nuk kishte asnjë shenjë që paralajmëronte tragjedinë. Myrto kishte planifikuar të dilte për një shëtitje të zakonshme me të dashurin e saj. Nëna tregoi se, ndërsa po nisej për turnin e natës në spital, kishte parë makinën e tij jashtë shtëpisë, por nuk kishte shkëmbyer asnjë fjalë me të.
Ajo shtoi se lidhja e vajzës mbahej e fshehtë nga babai, i cili ishte shumë i rreptë dhe mbrojtës ndaj saj.
“Të hënën e Pashkëve, rreth orës 21:55, ishim në shtëpi. Myrto doli nga dhoma dhe na pyeti nëse ishte veshur bukur. Folëm pak për rrobat e saj. E dija që do të dilte për një shëtitje, por babai i saj nuk ishte në dijeni, pasi nuk i kishim treguar për lidhjen. Ai ishte shumë mbrojtës dhe e telefononte shpesh kur dilte,” rrëfeu ajo për Protothema.gr.
Momenti më i rëndë për të ishte përballja me lajmin tragjik në spital. Ajo tregoi se ndodhej në shtëpi kur u njoftua dhe, sapo mbërriti në ambientet e spitalit, kuptoi menjëherë se diçka e rëndë kishte ndodhur nga sjellja e kolegëve.
“Më telefonoi një kolege dhe më kërkoi të shkoja urgjent në spital, pa më dhënë shpjegime. Mendova se bëhej fjalë për një rast pune. Por kur mbërrita, pashë fytyra të ngrira dhe ndjeva se diçka e rëndë kishte ndodhur. Para se të më thoshin, më dhanë qetësues,” tregoi ajo.
Mes dhimbjes së thellë, nëna kujtoi momentin kur iu lut mjekëve të bënin gjithçka për të shpëtuar vajzën e saj.
“Iu luta të bënin gjithçka për ta shpëtuar, madje u thashë të merrnin zemrën time dhe t’ia jepnin asaj. E vetmja gjë që mbaj mend është se vrapova drejt saj. Nuk doja ta besoja që fëmija im kishte ndërruar jetë,” u shpreh ajo mes lotësh.