Një situatë shqetësuese shëndetësore është raportuar në një anije turistike në Oqeanin Atlantik, ku dy raste me hantavirus janë konfirmuar, tre persona kanë humbur jetën dhe një shtetas britanik ndodhet në gjendje të rëndë.
Dyshohet për një shpërthim të virusit në bordin e anijes MV Hondius, duke ngritur alarmin tek autoritetet shëndetësore ndërkombëtare.
Sipas operatorit të anijes, viktimat janë një burrë dhe një grua nga Holanda, si dhe një shtetas gjerman. Ndërkohë, një pasagjer britanik është konfirmuar me virusin dhe po trajtohet në terapi intensive.
Hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit përmes jashtëqitjeve, urinës ose pështymës së tyre dhe mund të shkaktojë infeksione të rënda të sistemit respirator. Ekspertët theksojnë se transmetimi nga njeriu te njeriu është shumë i rrallë, megjithëse një variant specifik i njohur si virusi Andes mund të përhapet në këtë mënyrë.
Anija MV Hondius kishte nisur udhëtimin nga Ushuaia, në jug të Argjentinës, një zonë ku ky variant i virusit është endemik. Gjatë tre javëve të fundit, ajo ka ndaluar në disa destinacione, përfshirë Antarktidën dhe ishuj të Atlantikut, përpara se të ankorohej pranë Kepit të Gjelbër.
Në bord ndodhen 149 persona nga 23 vende të ndryshme, ndërsa autoritetet në Kepin e Gjelbër kanë refuzuar për momentin lejimin e zbarkimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë po shqyrton mundësinë e evakuimit të plotë të anijes, me ishujt Las Palmas dhe Tenerife në Spanjë që konsiderohen si pika të mundshme për pritjen e pasagjerëve dhe ekuipazhit.
Periudha e inkubacionit të hantavirusit varion nga 1 deri në 8 javë, çka përkon me kohëzgjatjen e udhëtimit. Sipas të dhënave shëndetësore, forma pulmonare e virusit ka një shkallë vdekshmërie rreth 38% te rastet simptomatike dhe aktualisht nuk ekziston një kurë specifike.