Studentët shqiptarë po zgjedhin gjithnjë e më shumë universitetet jashtë vendit, duke e vendosur Shqipërinë në krye të Ballkanit Perëndimor për ritmin e largimit të të rinjve për studime. Sipas raportit të UNESCO-s për arsimin, numri i studentëve shqiptarë që ndjekin arsimin e lartë jashtë vendit është rritur më shpejt se në vendet fqinje, duke reflektuar një kombinim faktorësh si emigracioni, rënia e popullsisë në moshë shkollore dhe orientimi drejt mundësive ndërkombëtare.
Raporti evidenton se kjo prirje lidhet ngushtë me zhvillimet demografike dhe migratore në vend. Rritja e studentëve jashtë ka ecur paralelisht me tkurrjen e numrit të maturantëve, një fenomen i lidhur me emigracionin dhe rënien e lindshmërisë. Sipas të dhënave, rreth 50% e popullsisë shqiptare ka pasur një përvojë emigracioni që nga viti 1991, ndërsa largimi për arsim dhe karrierë po zëvendëson gjithnjë e më shumë emigracionin tradicional të punëtorëve të pakualifikuar të viteve ’90.
Ndërkohë, sistemi arsimor në Shqipëri ka pësuar transformime të rëndësishme pas përfshirjes në procesin e Bolonjës në vitin 2003. Midis viteve 2003 dhe 2013, numri i studentëve u rrit mesatarisht me 13% në vit, ndërsa norma bruto e regjistrimit në arsimin e lartë u rrit nga 16% në 64%, duke arritur në rreth 82% në vitin 2024. Po ashtu, sistemi parauniversitar është bërë më gjithëpërfshirës, ku rreth 95% e nxënësve kalojnë provimin përfundimtar të arsimit të mesëm, duke lehtësuar vazhdimin e studimeve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.