Në vitin 2023, një grup deputetësh ndërhynë me shpejtësi të pazakontë në Kodin Rrugor, duke hequr një nga masat më të forta ndëshkuese: pezullimin e lejes së drejtimit për shkeljet e rënda. Në vend të saj, u vendos një gjobë e dyfishuar, një zgjidhje që në letër tingëllon më e ashpër financiarisht, por në praktikë rezulton shumë më e butë për shkelësit.
Pezullimi i patentës nuk është thjesht një ndëshkim administrativ; është një frenë reale që i detyron drejtuesit të reflektojnë. Është masa që godet drejtpërdrejt sjelljen e rrezikshme në rrugë, nga tejkalimi i shpejtësisë, te drejtimi në gjendje të dehur apo nën efektin e substancave narkotike, deri te shpërfillja e sinjalistikës rrugore. Heqja e saj nuk është vetëm një ndryshim teknik, por një dobësim i qëllimshëm i mekanizmave parandalues, duke hapur rrugën për më shumë aksidente dhe pasoja që shpesh përfundojnë në tragjedi.
Ironikisht, një nga nismëtarët e këtyre ndryshimeve sot mban një post ministror, duke pasur kështu jo vetëm përgjegjësi politike, por edhe morale për efektet që kjo ndërhyrje ka prodhuar, efekte që duket se nuk u peshuan kurrë seriozisht në momentin e vendimmarrjes.
Në këtë realitet, faji nuk mund të hidhet mbi Policinë apo institucionet zbatuese. Problemi është më i thellë: një sistem i dhënies së lejeve të drejtimit i cenuar ndër vite nga korrupsioni, i kombinuar me vendime ligjore të marra pa konsultim me ekspertët dhe institucionet përgjegjëse.
Kjo nuk është më një çështje teknike, por një emergjencë publike. Kërkohet një reformë e thellë dhe gjithëpërfshirëse, që të rikthejë forcën e ligjit në rrugë dhe të vendosë në qendër atë që sot duket se është harruar: mbrojtjen e jetës së qytetarëve.