Tensionet përshkallëzohen në Ngushticën e Hormuzit, armëpushimi SHBA-Iran në rrezik

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.05.2026, 10:31

Situata në Ngushticën e Hormuzit po hyn në një fazë të re përshkallëzimi, pasi deklaratat dhe veprimet e fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rritur ndjeshëm tensionet, duke shtuar pasigurinë për lundrimin detar dhe tregjet globale të energjisë.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se forcat amerikane kanë goditur shtatë mjete të shpejta detare iraniane, në kuadër të një operacioni që synon sigurimin e kalimit për anijet tregtare të bllokuara në këtë zonë strategjike. Sipas tij, në operacion janë përfshirë edhe helikopterë, ndërsa Teherani i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar të pavërteta.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se kriza nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake, duke theksuar nevojën për një zgjidhje politike. Ai përmendi gjithashtu përparimin në bisedime dhe rolin ndërmjetësues të Pakistanit, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e përfshirjes në një përplasje më të gjerë për shkak të aktorëve të tretë.

Ndërkohë, versionet mbi zhvillimet në terren mbeten të kundërta. Uashingtoni pretendon se anije luftarake dhe tregtare me flamur amerikan kanë kaluar në mënyrë të sigurt përmes ngushticës, ndërsa autoritetet iraniane i mohojnë këto deklarata dhe thonë se kanë kryer vetëm të shtëna paralajmëruese ndaj një anijeje ushtarake amerikane.

Në të njëjtën kohë, raportohen edhe incidente të tjera në rajon. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Koreja e Jugut kanë denoncuar sulme ndaj anijeve, ndërsa në portin naftor të Fujairah është shënuar një shpërthim i shoqëruar me zjarr, që ka lënë të plagosur disa persona. Autoritetet në Abu Dhabi bëjnë të ditur se sistemet mbrojtëse kanë neutralizuar disa raketa dhe dronë, duke e cilësuar situatën si një përshkallëzim të rrezikshëm.

Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar. Presidenti francez Emmanuel Macron i dënoi sulmet, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer shprehu mbështetje për vendet e Gjirit. Ndërkohë, tensionet kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregjet globale, me çmimin e naftës Brent që ka shënuar rritje të ndjeshme.

Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë, mbetet pjesërisht e bllokuar, duke mbajtur ende mijëra marinarë dhe qindra anije në pritje. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të ndërhyjnë për të garantuar lirinë e lundrimit, nëse situata vazhdon të përkeqësohet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit