Siguria rrugore në vend vijon të mbetet në nivele alarmante, sidomos pas aksidentit tragjik në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Bilanci i tre javëve të fundit është veçanërisht shqetësues: 23 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore, një shifër që tregon për një situatë jashtë kontrollit.
Ekspertët theksojnë se problemi është i hershëm dhe se ndërhyrjet e deritanishme nuk kanë arritur të japin efektin e duhur. Infrastruktura rrugore dhe sinjalistika mbeten të pamjaftueshme, ndërsa masat parandaluese nuk kanë frenuar rritjen e numrit të aksidenteve.
Një faktor i rëndësishëm konsiderohet edhe përkeqësimi i sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Shpejtësia e lartë, përdorimi i alkoolit dhe substancave narkotike, si dhe qarkullimi me automjete të fuqishme po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rrezikut në rrugë.