Lotë krokodili në Kuvend: Deputetët “qajnë” për dy të miturit në Durrës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.05.2026, 19:04

Salla e Kuvendit, aty ku ligjet shpesh mbulohen nga pluhuri dhe ku siguria e qytetarëve peshohet me vota, sot u përmbyt nga një "ndjeshmëri" e papritur. Seanca plenare nisi me një minutë heshtje dhe me kokë të ulura për dy fëmijët e mitur që humbën jetën në tragjedinë e Durrësit.

"Engjëjt u prehshin në paqe," u shpreh zv.kryeparlamentarja Klodjana Spahiu me një zë që kërkonte solemnitetin, ndërsa kolegët e saj rreth e rrotull "nxorrën shamitë" për të fshirë lotët që, çuditërisht, u rrodhën vetëm pasi jeta e dy të miturve u këput në mes.

Ky shfaqje emocionale do të ishte prekëse, nëse nuk do të vinte nga i njëjti institucion që ka injoruar me vite alarmet e banorëve për garat e çmendura të makinave dhe rrugët e shndërruara në pista vdekjeje. Është ironike, për të mos thënë cinike, që deputetët gjejnë forcën të qajnë për "engjëjt" në sallën me kondicioner, ndërkohë që jashtë atyre mureve, kërkesat e qytetarëve për ndërhyrje të policisë dhe masa sigurie janë trajtuar si bezdi elektorale.

Lotët e derdhur sot në Kuvend kanë shijen e hidhur të lotëve të krokodilit. Ndërsa deputetët fshijnë sytë para kamerave, mbetet fakt se tragjedia ishte një kronikë e paralajmëruar nga banorët, të cilët deklaruan se policia dhe shteti nuk kishin marrë asnjë masë për garat që zhvilloheshin çdo natë në lagjen e viktimave.

Nëse vërtet këta ligjvënës do të ndjenin peshën e tragjedisë, lotët do t'i kishin zëvendësuar me llogaridhënie për atë zinxhir dështimesh që i la fëmijët në mëshirën e shpejtësisë vdekjeprurëse. Por në teatrin e politikës shqiptare, është gjithmonë më e lehtë të mbash një minutë heshtje sesa të punosh një minutë për sigurinë; është më komode të lutesh që fëmijët të prehen në paqe, sesa t'u garantosh atyre paqen dhe jetën sa janë ende mbi këtë tokë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit