Denoncimi i fortë pas tragjedisë në Durrës: Policia injoroi paralajmërimet për garat e shpejtësisë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.05.2026, 18:27

Ngjarja e rëndë që tronditi Durrësin së fundmi ka nxjerrë në dritë një realitet shqetësues lidhur me sigurinë rrugore dhe neglizhencën e autoriteteve përballë ankesave të vazhdueshme të komunitetit.

Një banor i zonës ku ndodhi aksidenti tragjik ka bërë një denoncim tronditës, duke pohuar se kjo rrugë, së bashku me akset që lidhin lagjen e viktimave, përdoren rregullisht gjatë orëve të natës për gara të paligjshme makinash. Sipas dëshmisë së tij, rreziku nuk ka qenë asnjëherë i panjohur për policinë, pasi banorët kanë ngritur zërin dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente në disa raste, por thirrjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

Situata bëhet edhe më e rëndë kur mësohet se ky nuk është rasti i parë i incidenteve rrugore në këtë zonë, pasi i njëjti banor kujton se saktësisht dy vite më parë, në të njëjtën periudhë, është regjistruar një tjetër aksident.

Megjithëse ai rast fatmirësisht u mbyll vetëm me dëme materiale, banorët e kishin shfrytëzuar praninë e forcave të rendit në vendngjarje për t'u kërkuar marrjen e masave parandaluese përpara se të ndodhte diçka e pariparueshme. Ata kishin paralajmëruar se mungesa e kontrollit dhe shpejtësia marramendëse me të cilën lëvizin mjetet gjatë natës po e kthenin zonën në një pistë garash tejet të rrezikshme.

Sot, qytetarët ndihen të pasigurt dhe të braktisur, duke theksuar se lëvizja në këto rrugë pas perëndimit të diellit është shndërruar në një sfidë mbijetese. Frika është ulur këmbëkryq në lagje, ndërsa banori pohon se është bërë tepër e vështirë edhe thjesht të kalosh rrugën për shkak të automjeteve që sfidojnë çdo rregull të qarkullimit.

Ky denoncim ngre pikëpyetje të mëdha mbi përgjegjshmërinë e policisë, e cila akuzohet se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndaluar këto gara vdekjeprurëse, duke u mjaftuar me heshtje deri në momentin kur ndodhi kjo humbje tragjike jetësh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit