KUSH KA MUNDËSI TË NDIHMOJË VULLNETIN TË KONTRIBUOJË NË LINKUN E GOFUNDME
Vullnet Elmazi, 56 vjeç, po përballet me një nga sfidat më të vështira të jetës së tij. I prekur nga një sëmundje e rëndë e zemrës, ai ndodhet në një gjendje shëndetësore kritike dhe mjekët kanë rekomanduar një operacion urgjent në Greqi, i cili i jep atij shpresën e vetme për të jetuar.
Por përballë kësaj beteje jetike, ai gjendet i pafuqishëm financiarisht. Operacioni kushton rreth 30 mijë euro, një shumë e papërballueshme për të.
I vetëm dhe pa askënd pranë që mund ta ndihmojë në mënyrë të qëndrueshme, Vullneti ka vendosur të bëjë një apel publik, me shpresën se dikush do ta dëgjojë dhe do t’i zgjasë dorën në momentin më të vështirë të jetës së tij.
“Vuaj nga zemra dhe duhet të operohem në Greqi. Nuk kam mundësi ta përballoj këtë shpenzim. Ju lutem vini dorën në zemër për mua. Një ndihmë sado e vogël mund të më shpëtojë jetën. Jam i vetëm, nuk kam njeri që të më ndihmojë. Jeta ime është në duart tuaja,” shprehet ai me një thirrje që mbart dhimbje dhe shpresë njëkohësisht.
Në këto momente, çdo mbështetje, sado e vogël, mund të bëhet vendimtare për fatin e tij. Historia e Vullnet Elmazit nuk është vetëm një kërkesë për ndihmë, por një kujtesë e fortë se sa e brishtë mund të jetë jeta dhe sa shumë vlen solidariteti njerëzor kur dikush ndodhet në kufijtë e mbijetesës.