Dy vajza janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se, për shkak të pakujdesisë, shkaktuan zjarr në banesën që kishin marrë me qira në kompleksin “Kika 1”. Sipas burimeve zyrtare, shtetaset K. Sh. dhe S. Gj., të dyja 25 vjeçe, kishin lënë të ndezur qirinj aromatikë, çka dyshohet se u bë shkak për përhapjen e flakëve në apartament.
Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme jo vetëm në banesën e tyre, por edhe në apartamentet e fqinjëve. Si pasojë e tymit, një shtetas me inicialet A. K. është dërguar në spital për shkak të asfiksisë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 2 kanë arrestuar në flagrancë dy të rejat, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dëmet e shkaktuara.