Një e diel që nuk duhej të përfundonte kështu

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.05.2026, 14:17

Në një kohë kur teknologjia ka rrëmbyer vëmendjen e të rriturve dhe fëmijëve njësoj, tre vogëlushë kishin bërë një zgjedhje të rrallë për ditët tona: të linin telefonat mënjanë dhe të jetonin fëmijërinë si dikur me top në këmbë dhe buzëqeshje në fytyrë. Ishte ajo lojë e thjeshtë që ka shoqëruar breza të tërë, një kujtim i përbashkët për këdo që është rritur pa ekrane, por me ëndrra të vogla dhe rrugica të mbushura me zëra fëmijësh.

E diela kishte ardhur me diell, si një ftesë për të dalë jashtë. Një ditë e përkryer për lojë, për të mbledhur shokët e lagjes dhe për të shijuar ato orë të pakta lirie përpara një jave të gjatë mësimi. Një natë më parë, si çdo fëmijë, kishin rënë në gjumë me ëndrra të thjeshta, topin, lojën, të qeshurat. Puthja e nënës në ballë ishte premtimi i një dite të bukur që po vinte.

Por ajo e diel nuk ishte si gjithë të tjerat.

Koha, që ata nuk donin ta “vrisnin”, u tregua e pamëshirshme. Një përplasje fatale u preu përgjysmë jetën dhe ëndrrat. Dy prej tyre u shkëputën përgjithmonë nga përqafimet e nënës, nga shtrati i ngrohtë ku ëndërronin lojën, nga lagjja që sot do t’i kujtojë me dhimbje.

Sot, Eneo dhe Klesi nuk luajnë më në trotuaret e ngushta. Tani ata vrapojnë në fusha të pafundme, të sigurta, larg zhurmës dhe rrezikut, nën një qiell që nuk i kërcënon, pranë zotit që i mbron. Atje ku loja nuk ka frikë dhe fëmijëria nuk ndërpritet.

Dy fëmijë që zgjodhën të jetonin si fëmijë, paguan çmimin më të rëndë.

E çfarë mbetet pas në një vend që nuk arrin të mbrojë as më të pafajshmit? “Në sytë e një fëmije pasqyrohet pafajësia e botës”, ka shkruar Lasgush Poradeci. Por duket se kjo pafajësi është zbehur, në një realitet ku as fëmijët nuk janë të sigurt.

Po luanin… Në “pyjet” aty ku loja kthehet në rrezik të përditshëm. Pa parqe, pa fusha, pa hapësira ku fëmijët të mund të jenë thjesht fëmijë, ata shtyhen drejt rrugës.

Çdo mëngjes sjell një ngushtim të ri, çdo mbrëmje një hapësirë më pak. Fryma mbytet mes ndërtimeve, ndërsa fëmijët kërkojnë një copëz vend për të qeshur, për të vrapuar, për të jetuar.

Po luanin… Për të harruar hallet, për të gjetur pak liri në një trotuar të zakonshëm. Dhe mbi ta nuk kaloi vetëm një makinë, por pesha e një sistemi të tërë, një indiferencë që vret në heshtje.

Një shtet që ndëshkon për një vijë boje, por nuk ndal dot shpejtësinë që merr jetë. Që di të vendosë gjoba, por jo kufij. Që sheh, por nuk reagon.

Dhe ndërsa qyteti vazhdon ritmin e tij, në një cep të tij mungojnë dy zëra fëmijësh.

Sepse po luanin… dhe nuk u kthyen më.//I.CANI

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit