Dhimbja për humbjen tragjike të jetës së dy të miturve në aksidentin e një dite më parë vijon të mbetet e fortë, ndërsa një tjetër i mitur ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Paraditen e sotme ka reaguar edhe shkolla “Demokracia”, ku mësonin tre të miturit, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të dy nxënësve të mitur, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme.
Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por për gjithë komunitetin, shkollën dhe këdo që pati fatin t’i njihte. Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen, por lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë tragjedi të madhe. Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona! U prehshin në paqe”, shkruan shkolla “Demokracia”.
Për shkak të kësaj ngjarjeje të rëndë, sot në shkollë nuk është zhvilluar mësim, ndërsa mësuesit dhe nxënësit i janë bashkuar mesazheve të shumta të ngushëllimit. Po ashtu, është ndërprerë puna edhe në rrobaqepësinë ku punojnë nënat e fëmijëve të përfshirë në aksident.