KLSH zbulon mbi 5.7 mld lekë dëm buxhetit nga keqmenaxhimi i Doganave

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.05.2026, 10:06

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar një sërë problematikash në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, duke përfshirë mangësi në mbledhjen e të ardhurave, kontrollin e mallrave dhe zbatimin e procedurave doganore. Sipas auditimit për vitin 2024, të ardhurat nga TVSH-ja në import, akcizat, renta minerare dhe taksat doganore nuk janë realizuar sipas planit, duke sjellë ndikim negativ në buxhetin e shtetit.

Raporti ngre shqetësime edhe për kontrollin dhe verifikimin e mallrave, ku në disa raste mungon dokumentacioni i plotë, si certifikatat e origjinës apo të dhënat teknike të produkteve. Janë konstatuar gjithashtu deklarime të pasakta për mallra si qumështi, lëndët djegëse dhe produkte të tjera, si dhe mungesë analizash laboratorike për verifikimin e përbërjes së tyre. Sipas KLSH-së, këto parregullsi kanë çuar në llogaritje të pasakta të detyrimeve doganore.

Nga këto shkelje, janë identifikuar efekte financiare negative në vlerën totale prej 5.72 miliardë lekë, si dhe 1.88 milionë lekë të ardhura të munguara nga gabime në gjoba dhe detyrime. Problematika janë konstatuar edhe në degët doganore, ku në Durrës dhe Rinas janë evidentuar dëme financiare përkatësisht në qindra miliona dhe miliarda lekë, ndërsa KLSH thekson edhe dobësi në luftën kundër kontrabandës dhe mungesë masash ndëshkuese efektive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit