Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore.
Sipas saj, ajo ka blerë një pako me karamele gomoze nga dyqani “ProNatyra”, por pasi i ka hapur, ka konstatuar se produkti ishte në gjendje të papërshtatshme për konsum.
Në videon e dërguar në redaksi, qytetarja shprehet se të gjitha karamelet rezultojnë të mykura dhe të deformuara:
“Janë blerë sot pasdite. I hapa dhe janë të mykura komplet. Janë të gjitha të mykura, të ngjitura me njëra-tjetrën, nuk janë fare gomoze. Janë bërë si gur. Këto karamele duhet të jenë me shkëlqim, ndërsa këto janë të gjitha të mykura”, dëgjohet të thotë ajo.
Pamjet e siguruara duket se tregojnë një produkt që nuk i përmbush standardet e zakonshme të një karameleje gomoze, ndërsa qytetarja ngre shqetësimin për cilësinë dhe sigurinë e produkteve që tregtohen.
Mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për një problem më të gjerë me ruajtjen apo shpërndarjen e produktit. Pritet që autoritetet përkatëse të verifikojnë rastin dhe të marrin masat e nevojshme nëse konstatohen shkelje.