Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar këtë pasdite në Durrës, këtë herë në zonën e Kepit të Rodonit, ku një person ka humbur jetën në një aksident me motor.
Viktima është identifikuar si 52-vjeçari Arben Karamuço (fillimisht u raportua si 45-vjeç), i cili po lëvizte me një motomjet me katër rrota (ATV) në momentin e aksidentit. Sipas informacioneve paraprake, ai ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga, për shkak të terrenit të vështirë.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, 52-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Ndërkohë, një grua që ndodhej me të në motomjet ka arritur të shpëtojë dhe fatmirësisht nuk raportohet të ketë pësuar lëndime të rënda.
Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa kjo ngjarje e rëndë vjen në një ditë të mbushur me incidente tragjike në qytetin e Durrësit.