Kreditë po “mbysin” familjet shqiptare: Banka e Shqipërisë sinjalizon rënien e aftësisë paguese

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.05.2026, 18:10

Situata financiare e familjeve shqiptare ka hyrë në një fazë delikate gjatë pjesës së dytë të vitit 2025, ku aftësia e tyre paguese ka shfaqur shenja të qarta dobësimi. Sipas të dhënave të fundit nga Raporti i Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, kjo rënie e fuqisë paguese shoqërohet me një rritje të lehtë të peshës së huamarrjes në raport me të ardhurat.

Megjithëse numri i familjeve që kanë aktualisht një borxh për të shlyer vlerësohet në rreth 17%, shifër kjo që mbetet dukshëm nën mesataren historike prej 26%, shqetësimi kryesor mbetet barra që këto detyrime përfaqësojnë në buxhetet mujore.

Ecuria e treguesve të ngarkesës me borxh dëshmon një përkeqësim, pasi pesha e familjeve që arrijnë të mbajnë këstet e huasë nën kufirin e 30% të të ardhurave ka rënë me 5% në gjashtë muaj dhe me 6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo tregon se për një pjesë të konsiderueshme të huamarrësve, pagesat e kredive po zënë një hapësirë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave të tyre, duke tejkaluar kufirin kritik prej 30%. Ky ndryshim sinjalizon një rritje të drejtpërdrejtë të barrës financiare dhe një presion më të madh mbi stabilitetin ekonomik të këtyre familjeve.

Lidhur me perceptimin e vetë huamarrësve, pjesa më e madhe prej 57% deklarojnë se situata e tyre nuk ka pësuar ndryshime gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, ndërsa një shumicë dërrmuese prej 75% parashikojnë që kjo gjendje të vijojë njësoj edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Pavarësisht kësaj qëndrueshmërie në dukje, indekset që masin pritshmëritë reflektojnë një nivel më të ulët optimizmi dhe një prirje drejt përkeqësimit të mëtejshëm në të ardhmen. Paralelisht me këtë situatë, kërkesa për financim të ri ka shënuar një rigjallërim modest, ku numri i familjeve që konsiderojnë marrjen e një kredie të re është rritur lehtë, ndonëse shumica prej 63% e tyre mbeten ende skeptikë për të hyrë në borxhe të reja në muajt në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit