SHBA tërheq 5 mijë trupa ushtarakë nga Gjermania

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.05.2026, 18:01

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tërheqjen e rreth 5 mijë trupave nga Gjermania brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm, një vendim që vjen si pjesë e strategjisë së administratës së Donald Trump dhe që po shkakton reagime të forta në arenën ndërkombëtare.

Vendimi u bë publik nga Pentagoni, i cili sqaroi se ky hap vjen pas një rishikimi të pranisë ushtarake amerikane në Europë dhe lidhet me nevojat aktuale në terren. Megjithatë, lëvizja shihet edhe si një sinjal politik, pas përplasjeve të fundit mes Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili kishte kritikuar ashpër strategjinë amerikane në konfliktin me Iranin.

Në Gjermani ndodhen disa nga bazat më të rëndësishme amerikane, përfshirë Ramstein Air Base dhe qendra mjekësore në Landstuhl, ku janë trajtuar ushtarë nga luftërat në Afganistani dhe Iraku. Aktualisht, rreth 36 mijë trupa amerikane janë të stacionuara në territorin gjerman, që do të thotë se tërheqja përbën rreth 14% të forcës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi vendimin si të parashikueshëm, duke theksuar se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Ai nënvizoi se prania amerikane mbetet e rëndësishme si për Gjermaninë ashtu edhe për vetë SHBA-të.

Nga ana tjetër, vendimi ka hasur në kritika të forta në SHBA. Senatori Jack Reed paralajmëroi se një hap i tillë mund të dobësojë aleancat dhe të dëmtojë sigurinë afatgjatë, ndërsa ekspertë të sigurisë argumentojnë se kjo mund të favorizojë Vladimir Putin dhe të rrisë rrezikun për destabilizim në Europë.

Kjo nuk është hera e parë që Donald Trump propozon një tërheqje të tillë. Një plan i ngjashëm gjatë mandatit të tij të parë nuk u zbatua, pasi u ndal më pas nga administrata e Joe Biden në vitin 2021.

Tërheqja e trupave vjen në një moment tensioni të lartë global, ndërsa aleatët e NATO po përballen me sfida të reja sigurie dhe presion për të rritur kapacitetet e tyre mbrojtëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit