Me 30 kg kokainë dhe heroinë, shqiptari kapet mat gjatë shkëmbimit të drogës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.05.2026, 17:37

Një operacion i gjerë antidrogë në Milano ka çuar në arrestimin e dy personave, një 50-vjeçar shqiptar dhe një i ri maroken, i përfshirë në trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Autoritetet italiane kanë sekuestruar mbi 30 kilogramë drogë të fortë (kokainë dhe heroinë) dhe rreth 300 mijë euro cash.

Sipas mediave italiane, shqiptari u kap në flagrancë gjatë një shkëmbimi droge në një zonë parkimi në Stezzano, pranë një kamioni me targa shqiptare. Ai kishte marrë nga një 27-vjeçar maroken dy çanta me para, në këmbim të të cilave kishte dorëzuar dy thasë plastikë me drogë. Gjatë kontrollit, në posedim të shqiptarit u gjetën rreth 10 kilogramë kokainë dhe 17 kilogramë heroinë.

Ndërkohë, në çantat që mbante marokeni u zbuluan rreth 270 mijë euro cash. Hetimet kishin nisur prej ditësh, pasi autoritetet kishin vënë në vëzhgim lëvizjet e tij të dyshimta, të cilat çuan në zbulimin e një baze ku dyshohej se mbahej droga.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, policia gjeti edhe 2.5 kilogramë kokainë në banesën e 27-vjeçarit, si dhe një tjetër sasi prej rreth 3 kilogramësh të fshehur në një makinë me mekanizëm të posaçëm në një garazh në Vizzolo Predabissi. Në të njëjtin vend u sekuestruan edhe rreth 30 mijë euro të tjera.

Të dy personat janë arrestuar dhe akuzohen për posedim dhe trafik droge në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme të këtij rrjeti kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit