Një shtetas shqiptar 30-vjeçar është arrestuar në Peruxhia nga autoritetet italiane, pasi dyshohet për sulm seksual ndaj dy vajzave brenda një intervali më pak se 48 orë, ku njëra prej viktimave është e mitur.
I dyshuari ndodhet në paraburgim në institucionin e vuajtjes së dënimit në Capanne, në rajonin e Umbrias.
Sipas hetimeve, ngjarja e parë ka ndodhur në një autobus që lëvizte mes Castel del Piano dhe Fontivegge, ku ai i ka propozuar një 16-vjeçareje para në këmbim të favoreve seksuale dhe më pas dyshohet se e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme.
E mitura ka njoftuar menjëherë babanë e saj, i cili ndërhyri dhe arriti ta ndalonte përkohësisht, por 30-vjeçari u largua përpara mbërritjes së forcave të rendit.
Pavarësisht kallëzimit të bërë, një ditë më pas ai dyshohet se ka përsëritur sjelljen, duke ngacmuar dhe prekur në mënyrë të papërshtatshme një studente në Piazza Morlacchi. Në këtë rast të dytë, Policia e Shtetit ndërhyri dhe e arrestoi në Piazza Grimana, duke e shoqëruar më pas në komisariat, ku ndaj tij u ngrit akuza për sulm seksual.
Nga hetimet rezultoi se 30-vjeçari ndodhej nën mbikëqyrje të posaçme për vepra të ngjashme penale. Ai ishte i njohur për autoritetet dhe kishte precedentë të mëparshëm, ndërkohë që lëvizte lirshëm në qytet.