Një incident vandalizmi është shënuar në jug të Shqipërisë. Kjo gjë ka ngritur shqetësime për klimën e bashkëjetesës në zonat me përbërje multietnike. Në aksin rrugor Gjirokastër–Kakavijë, në një territor ku jeton komuniteti i minoritetit grek, disa tabela rrugore në gjuhën greke janë vandalizuar, duke u fshirë më spraj me bojë të zezë.
Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë qartë dëmtimin e sinjalistikës rrugore, një veprim që është perceptuar si provokues dhe i qëllimshëm. Banorët e zonës e kanë dënuar ashpër aktin, duke e cilësuar si një goditje ndaj bashkëjetesës dhe respektit ndërkomunitar.
Policia e Gjirokastrës ka ndërhyrë menjëherë pas raportimit të ngjarjes, duke bërë të mundur identifikimin e dy personave të dyshuar si autorë. Sipas burimeve zyrtare, hetimet janë ende në zhvillim për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij incidenti.
Ndërkohë, autoritetet përballen me presion në rritje për të reaguar me masa konkrete, jo vetëm për rikuperimin e sinjalistikës së dëmtuar, por edhe për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e harmonisë mes komuniteteve në këtë zonë të ndjeshme.