SKANDAL në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë! Mjetet e rënda shembin pishat dhe shkatërrojnë ekosistemin

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 02.05.2026, 13:35

Një denoncim i fortë publik i PPNEA ka ngritur shqetësime serioze për një ndërhyrje në një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura natyrore në Shqipëri, Pishë Poro–Nartë. Mjete të rënda janë futur në territor pa paralajmërim dhe jashtë çdo procedure të njohur ligjore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekosistem.

Raportohet se ndërhyrja ka prekur drejtpërdrejt pyllin me pisha dhe dunat ranore, elementë kyç të biodiversitetit në këtë zonë të mbrojtur. Denoncuesit pretendojnë se nuk ka pasur asnjë projekt të shpallur publikisht, as dëgjesa me komunitetin dhe as dokumentacion të dukshëm për leje ndërtimi, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e veprimeve në terren.

Zona në fjalë ndodhet pranë Delta e lumit Vjosa, një hapësirë me rëndësi të veçantë kombëtare dhe ndërkombëtare për habitatet natyrore dhe speciet e mbrojtura. Aktivistët e mjedisit e cilësojnë situatën si një nga rastet më të rënda të dëmtimit të natyrës në vend, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.

Në reagimin publik u bëhet thirrje autoriteteve ligjzbatuese që të ndalojnë çdo aktivitet në zonë dhe të nisin verifikime urgjente mbi atë që po ndodh. Po ashtu, kërkohet transparencë nga qeveria lidhur me çdo plan zhvillimi që mund të prekë këtë territor të ndjeshëm.

Ky zhvillim vjen në një moment kur ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura kanë hapur debat për lejimin e investimeve turistike, përfshirë ndërtimin e resorteve, duke shtuar edhe më shumë shqetësimet mbi balancën mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit