Biznesmenët që financuan Erion Isufin dhe “rënia” pas largimit të kunatit Basha nga PD

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.05.2026, 13:09

Gjatë periudhës kur Lulzim Basha ishte në krye të Partisë Demokratike, pretendohet se rreth 100 biznesmenë që përfitonin fonde dhe pasuri publike nga qeveria e Edi Ramës paguanin rregullisht shuma parash tek kunati i tij, Erion Isufi. Pagesat, sipas Prapaskenës, kryheshin kryesisht përmes kompanisë “Landmark Communications”, pa një shërbim real, por përmes faturimeve fiktive, me qëllim sigurimin e heshtjes së opozitës ndaj aferave të tyre me pushtetin.

Edhe pse në llogaritë e kompanisë qarkullonin dhjetëra milionë euro, Isufi deklaronte fitime minimale, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e parave dyshohet se investohej në pasuri të paluajtshme. Pas largimit të Bashës nga drejtimi i PD-së në fund të vitit 2021 nga Sali Berisha, biznesmenët ndërprenë pagesat ndaj Isufit dhe, sipas të njëjtave pretendime, nisën t’i orientonin ato drejt Shkëlzen Berisha, në këmbim të shmangies së sulmeve politike.

Arsyet e këtyre pagesave lidhen me disa faktorë: përfitime të mëparshme nga tendera dhe prona publike gjatë kohës kur Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës; blerjen e heshtjes së opozitës për aferat me qeverinë; si dhe krijimin e lidhjeve klienteliste për të siguruar mbështetje në rast rotacioni politik.

Në listën e përmendur të personave dhe kompanive që kanë kryer pagesa përmenden emra si Bashkim Ulaj përmes “Gener2”, Fatmir Kuçi (“Victoria Invest”), Arben Babameto (“Teuta shpk”), Gerond Çela (“Brunes”), si dhe dhjetëra emra të tjerë biznesmenësh dhe subjektesh.

Sa i përket ecurisë financiare, “Landmark Communications” rezultonte me rreth 70 mijë euro fitim në vitin 2021, ndërsa në vitin 2024 me rreth 450 mijë euro humbje. E njëjta tendencë vërehet edhe te “Landmark Technologies”, e cila kaloi nga 150 mijë euro fitim në 2021 në rreth 150 mijë euro humbje në 2023. Disa kompani të tjera të lidhura me Isufin janë pezulluar ose çregjistruar pas largimit të Bashës nga drejtimi i opozitës.

Megjithatë, pavarësisht rënies së deklaruar financiare, Isufi ka vijuar investimet në pasuri të paluajtshme me vlera të mëdha, përfshirë blerje në “Lion Residence” pranë Parkut të Liqenit dhe njësi tregtare me sipërfaqe mbi 2000 m² për rreth 4.6 milionë euro, ndërkohë që vlera reale pretendohet të jetë shumë më e lartë. Këto transaksione kanë ngritur dyshime për pastrim parash, ku përmendet edhe roli i kompanisë Colliers International, e drejtuar nga bashkëshortja e tij, Stela Dhami. Për këtë çështje raportohet se ekziston edhe një procedim penal në SPAK.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit