Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacionin antidrogë të zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin e Elbasanit, si dhe në disa zona të tjera të qarkut, përfshirë Prrenjasin dhe Librazhdin.
Sipas burimeve, deri në këto momente janë arrestuar 26 persona, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 8 kilogramë kanabis dhe 100 gramë kokainë.
Mësohet gjithashtu se hetimet për këtë operacion kanë nisur që në shtator të vitit 2025 dhe se aksioni është në vijim të operacioneve të mëparshme të koduara “Rrjeti” dhe “Tempulli”.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë operacionit janë përdorur metoda proaktive, përfshirë agjentë të infiltruar, ndërsa aktiviteti i dyshuar kriminal është dokumentuar edhe me pamje filmike.