Një ngjarje tragjike është zbardhur pas disa muajsh në Northampton, ku një 30-vjeçar shqiptar, Sajmir Beca, humbi jetën si pasojë e një aksidenti me një kamion mbeturinash.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit të vitit të kaluar, në rrugën Wellington Street. Sipas dëshmive të dhëna në gjykatë, drejtuesi i kamionit ka treguar se dëgjoi britma pasi një burrë u përmbys nga një kosh mbeturinash në brendësi të mjetit dhe u shtyp nga mekanizmi i tij.
Beca pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë më 6 nëntor për shkak të plagëve të marra. Sipas mjekësisë ligjore në Northampton, shkaku i vdekjes ishte dëmtimi i organeve jetike.
Familjarët e viktimës, të cilët udhëtuan nga Shqipëria për të ndjekur seancën, theksuan se ai nuk ishte person i pastrehë.
Mjekja ligjore Anne Pember u shpreh se mbetet ende e paqartë pse 30-vjeçari ndodhej brenda koshit të mbeturinave, duke e cilësuar vdekjen si aksidentale.
Nga ana e tij, drejtuesi i kamionit, Stephen Ploëman, deklaroi se kishte kontrolluar koshin përpara zbrazjes dhe kishte parë vetëm karton në sipërfaqe. Ai shtoi se pasi aktivizoi mekanizmin e shtypjes, dëgjoi britma dhe reagoi menjëherë.
“Në atë moment e pashë, po më shikonte dhe i thashë vazhdimisht ‘dil jashtë’. Shtypa menjëherë butonin e emergjencës dhe njoftova shërbimet e urgjencës”, rrëfeu ai, duke shtuar se ngjarja i ka shkaktuar trauma dhe frikë për t’u rikthyer në punë.
Policia e Northamptonshire konfirmoi se nuk ka rrethana të dyshimta që lidhen me ngjarjen, ndërsa një raport i plotë i është dorëzuar autoriteteve përkatëse.