Me marrjen e detyrës, kryepolici Hita ka zgjedhur të sjellë një “epokë të re” në evidentimin e shkeljeve rrugore, duke e zhvendosur vëmendjen nga metodat tradicionale të patrullimit drejt teknologjisë moderne: dronë, kamera dhe radarë. Në këtë vizion të ri, duket se koha e policëve të fshehur pas shkurreve dhe e ndalesave të befasishme në kthesa është shpallur, të paktën në teori, një kapitull i mbyllur.
Por, siç ndodh shpesh, realiteti në terren ka një prirje të vogël për të mos lexuar urdhrat me të njëjtin zell. Disa individë, me sa duket, vazhdojnë t'i “rezistojnë rrymës”, duke mos u bindur plotësisht as teknologjisë, as reformës, dhe ndoshta as Skënder Hitës.
Një rast i tillë është raportuar pranë redaksisë sonë pranë Urës së Dalanit. Sipas denoncimit, një qytetar është ndaluar nga policia rrugore pasi kishte vendosur telefonin në mbajtësen e dedikuar. Problemi, sipas qytetarit, qëndron në faktin se për shkak të një segmenti të dëmtuar të rrugës, telefoni kishte rrëshqitur për pak çaste, dhe ai ishte përpjekur ta rivendoste në vend.
Kjo lëvizje, megjithatë, është interpretuar ndryshe në terren, duke sjellë një gjobë prej 10,000 lekësh të rinj. Qytetari thekson se në zonë ka kamera sigurie dhe se pamjet mund të tregojnë qartë nëse telefoni po përdorej apo thjesht po rregullohej pas “përplasjes me asfaltin”.
Rasti ngre edhe një herë debatin e vjetër mes interpretimit të ligjit dhe zbatimit të tij në praktikë, duke lënë të kuptohet se, pavarësisht teknologjisë dhe urdhrave të rinj, në disa raste ndalesat rrugore vazhdojnë të gjejnë mënyra për të mos dalë plotësisht nga moda.