Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një tjetër rast vjedhjeje biçiklete, fenomen i cili, po shfaqet gjithnjë e më shpesh muajt e fundit në kryeqytet.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, të vëna në dispozicion nga qytetari, momenti i ngjarjes duket mjaft i qartë: një i ri afrohet me qetësi në zonë, vëzhgon përreth për t’u siguruar që nuk po e shikon askush, dhe më pas merr biçikletën duke u larguar po aq qetësisht sa edhe është afruar.
E vetmja “pengesë teknike” në këtë operacion rezulton të ketë qenë shala e biçikletës, e cila dukshëm ka qenë e ngritur më shumë seç duhet. Si pasojë, autori është parë teksa mundohet të hipë, në një moment që më shumë ngjan me një provë ekuilibri sesa me një largim të shpejtë nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë, edhe kjo pengesë nuk ka rezultuar e mjaftueshme për ta ndalur “misionin”, i cili është përmbyllur me sukses, të paktën nga këndvështrimi i autorit. Qytetari i bën thirje të kthejë mjetin pasi e ka të domosdoshëm.